ZHVILLOI PUNIMET KONFERENCA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “TEACHING AND LEARNING COMPETENCE- BASED HIGHER EDUCATION CURRICULUM”

Në datat 29-30 shtator 2017 në sallën e konferencave “Teodor Laço” zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Teaching and Learning Competence-Based Higher Education Curriculum”, organizuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në bashkëpunim me Departamentin e Edukimit të Universitetit të Bolonjës, Itali, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, Fakultetet e Shkencave Humane dhe të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan etj. Në konferencë morën pjesë pedagogë dhe studiues nga Universiteti i Tiranës, i Elbasanit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Universiteti i Bolonjës etj. Fjalën e hapjes e mbajti dr. Benita Stavre, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhëve të Huaja dhe ideatore e kësaj konference.

Në fjalën e tij dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Pavllo Cicko, tha se kjo konferencë synon promovimin e mendimit akademik në lidhje me zhvillimin e kompetencave të të nxënit gjatë gjithë jetës, si një kërkesë e domosdoshme e zhvillimeve kurrikulare të arsimit të lartë për t`iu përgjigjur në kohë dhe në cilësi kërkesave në rritje të tregut të punës. Më pas konferencën e përshëndetën dr.Niko Hyka, përfaqësues i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, profesorët  Federika Zanetti dhe Roberto Dainese nga Universiteti i Bolonjës, prof. dr. Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Tiranë, prof. dr. Viktor Ristani, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës Angleze, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë. Në këtë seancë plenare të konferencës, prof. Roy Alden Adwood mbajti referatin kryesor me temë “Education as symphony: competence & the harmonic relations of knowledge, skills, affections & values”, që u  ndoq me interes të veçantë nga pjesëmarrësit.

Rektori i Universitetit të Korçës, prof. dr. Ali Jashari, në fjalën përshëndetëse, vuri në dukje se kjo konferencë është ndërkombëtare, jo vetëm ngaqë po mbahet në gjuhë të huaja, jo vetëm se ka pjesëmarrës me kumtesa nga universitete jashtë Shqipërisë, por sepse tema bosht që na ka mbledhur këtu në Universitetin e Korçës është shtruar prej kohësh në rend të ditës për gjithë arsimin shqiptar, por sidomos për arsimin e lartë, që përgatit specialistë për çdo fushë të veprimtarisë shoqërore dhe ekonomike. Qysh në Komunikatën e Pragës (2001) ministrat e arsimit të vendeve anëtare të Procesit të Bolonjës kërkuan përdorimin efektiv të kompetencave dhe të aftësive kudo në HEAL. Në Konferencën e Bergenit (2005)  u shtrua si nevojë përshtatja e kornizës së kualifikimeve në HEAL duke u bazuar në rezultatet dhe kompetencat e të mësuarit, për ndërtimin e kompetencave të mëtejshme etj.  Në Komunikatën e Londrës (2007) theksohet roli i fuqishëm i arsimit të lartë për ngritjen e nivelit të njohurive, të aftësive dhe të komptencave në shoqëri, ndërsa Konferenca e Luvenit (2009) e lidh këtë problem me të mësuarit me në qendër studentin dhe mobilitetin “të cilët do t’i ndihmojnë studentët që të zhvillojnë kompetencat që u duhen për tregun e punës gjithnjë e në ndryshim dhe do t’i fuqizojë ata që të bëhen qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm”. Po kështu, në Komunikatën e Luvenit thuhet se kompetencat, shkathtësitë, rritja profesionale etj., fitohen edhe përmes të mësuarit gjatë gjithë jetës, nëpërmjet rrugëve formale, joformale apo informale të të nxënit, duke theksuar se “me tregjet e punës që gjithnjë e më shumë mbështeten në nivele më të larta të shkathtësive e të kompetencave ndërpersonale, arsimi i lartë duhet t’i pajisë studentët me dije, shkathtësi e kompetenca të avancuara, të cilat do t’u nevojiten gjatë jetës së tyre profesionale”. Të diplomuarit e sotëm, theksohet në Komunikatën e Bukureshtit (2012), nevojitet që të kombinojnë aftësi të tërthorta, multidisiplinore dhe inovative, si dhe kompetenca që ndjekin hapin e kohës dhe me natyrë specifike, për të qenë në gjendje të kontribuojnë në nevojat e mëdha të shoqërisë dhe të tregut të punës.

Në Komunikatën e Erevanit (2015), gjithashtu, theksi vihet në programet e studimit që duhet t’u ofrojnë të diplomuarve aftësi dhe kompetenca për të vazhduar më tej studimet ose për të hyrë në tregun evropian të punës.

Në ditët e sotme, presioni për të rritur rolin e informacionit dhe njohurive në ekonomitë kombëtare ka gjallur një debat të gjerë lidhur me kompetencat që  duhet të zotërojnë të rinjtë dhe të rriturit.

Mendoj se organizimi i kësaj konference për mësimdhënien mbi bazën e kompetencave dhe rezultateve të të nxënit bëhet në kohën e duhur, çka duket dhe nga numri i madh i pjesëmarrësve nga shumë universitete dhe institucione të tjera, por sidomos për prurjen e ideve dhe përvojave që do të na vlejnë të gjithëve. Pas kësaj, ne do të hartojmë një plan konkret veprimi për të zbatuar këtë filozofi dhe tipar të arsimit të lartë në gjithë dokumentacionin e mësimdhënies, duke ndryshuar thelbësisht mjeshtëritë e mësimdhënies në dobi të aftësimit të studentëve në çdo program studimi dhe disiplinë apo modul.

Në fund të fjalës përshëndetëse, ai tha ”E ndiej për detyrë dhe kam dëshirë që të bëj faqe të gjithë pjesëmarrësve të konferencës së sotme disa falënderime dhe vlerësime me Çmimin “Fan Noli”, të shoqëruar me Medaljen e Argjendtë të Universitetit: prof. Roi Alden Adwood, profesor dhe studiues i shquar i shkencave të edukimit në Universitetet Amerikane dhe mik i Universitetit të Korçës, që po jep ndihmesa të çmuara si lektor i ftuar;  dr. Niko Hyka, specialisti i akreditimit të arsimit të lartë që ka dhënë për më shumë se dhjetë vjet ndihmesa të vyera në ngritjen dhe kualifikimin e njësive të sigurimit të brendshëm të cilësisë dhe të stafit akademik në institucionin tonë për përmbushjen e standardeve të cilësisë. Me të njëjtin çmim, Rektori vlerësoi edhe profesorët e shkencave të edukimit në Universitetin e Bolonjës, Federica Zanetti dhe prof. Roberto Dainese, të cilët kanë ndihmuar në fushën e edukimit gjithpërfshirës për kualifikimin e mësuesve në Shqipëri e Kosovë, si edhe për përgatitjen e teksteve mësimore për studentët e arsimit fillor”.

Ditën e dytë konferenca i zhvilloi punimet sipas tematikës në tetë sesione paralele, në të cilat kumtuesit referuan për domosdoshmërinë e ndryshimit të kurrikulës universitare dhe orientimin e saj drejt të mësuarit mbi bazën e kompetencave dhe rezultateve të të nxënit.

Harta e Vendodhjes

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 822 42580

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
            alijashari@yahoo.com
            rektorati@yahoo.com

Sekretarja e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230
e-mail: megipashko@yahoo.com
        rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për mësimin
Prof. as. dr.  Majlinda Bello

Tel. : +355 822 42580
e-mail: mbello@unkorce.edu.al
            rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për shkencën dhe projektet
Dr. Erinda Papa

Tel: +355 822 42580
e-mail: erindapapa@yahoo.com

Administrator i Universitetit

Msc. Enslemvera Zake (Furxhi)
Tel: +355 822 43609
e-mail: eni_furxhi@yahoo.com

Te gjitha kontaktet