UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ORGANIZOI “DITËN NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS AMTARE” NË BASHKËPUNIM ME SHKOLLAT 9-VJEÇARE TË QYTETIT TË KORÇËS

Universiteti “Fan S. Noli” organizoi një veprimtari në kuadër të 21 shkurtit “Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare”. Në një tryezë të rrumbullakët, e cila u zhvillua  në Bibliotekën “Kongresi i Manastirit” të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ishin të ftuar pedagogë, studentë, mësues të gjuhës shqipë si dhe nxënës të tri shkollave 9- vjeçare të qytetit të Korçës,  “Mësonjëtorja e Parë shqipe”, “Ismail Qemali” dhe “Sevasti Qirjazi”.  Rektori i Universitetit, prof. dr. Ali Jashari, foli për rëndësinë që ka kjo ditë, e cila organizohet kudo në botë, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e gjuhës amtare për çdo popull. Ai u ndal tek zhvillimi që ka pësuar gjuha shqipe, por edhe për “rreziqet” që i kanosen sot asaj, siç janë përdorimet e fjalëve të huaja, nga pjesa më e madhe e shoqërisë sonë. Më pas, prof. dr. Ali Jashari, u është përgjigjur pyetjeve që nxënësit i drejtuan atij si mësues, autor i shumë librave e fjalorëve të gjuhës shqipe, por edhe si studiues i saj. Së fundi ai dhuroi fjalorin e gjuhës shqipe dhe disa botime të universitetit “Fan S. Noli” për bibliotekat e këtyre shkollave.