UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” DHE SHOQATA MAQEDONASE “SONCE” ORGANIZUAN SIMPOZIUMIN SHKENCOR KUSHTUAR JETËS DHE VEPRËS LETRARE TË STERJO SPASSES

Në datën 27 dhjetor 2018, Universiteti “Fan S. Noli” dhe Shoqata maqedonase “Sonce” zhvilluan simpoziumin shkencor kushtuar jetës dhe veprës letrare të Sterjo Spasses. Pas nderimit të Himnit tonë Kombëtar, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, mbajti fjalën e hapjes, ku falënderoi për pjesëmarrjen presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij, z. Ilir Meta, ministrin për Marrëdhëniet me Diasporën në Qeverinë e Maqedonisë, z. Edmond Ademi, ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë, z. Danço Markovski, djalin e Sterjo Spasses, prof. Ilinden Spasse, kryetarin e  Shoqatës maqedonase “Sonce”, z.Vasil Steriovski, si dhe pedagogë, studiues e të ftuar të tjerë nga Shqipëria e Maqedonia. Më tej ai u shpreh: “Për jetën dhe veprën e Sterjo Spasses ky tubim ceremonial dhe shkencor ka mjaftueshëm kumtesa, që besoj janë trajtesa të reja, krahas shumë simpoziumeve shkencore që janë mbajtur për të, ndaj unë dëshiroj t’ju them shkurt se zhvillimi i kësaj veprimtarie në Korçë dhe pikërisht në Universitetin tonë ka disa arsye domethënëse.

E para, ne kemi një përmendore të madhe në Manastir, Kongresin e Alfabetit, ku Korça u përfaqësua me shtatë delegatë dhe më pas Korça i priti dhe i nderoi gjithë delegatët e këtij Kongresi, ndaj dhe ne çdo vit, në çdo përvjetor, i bëjmë homazhe kësaj përmendoreje, për të mos e bjerrur kurrë koha dhe rrebeshet historike. Personalisht e çmoj si shumë të veçantë faktin që presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, mori pjesë në të dyja veprimtaritë e organizuara në Maqedoni me rastin e 110-vjetorit të kësaj ngjarjeje, duke përcjellë mesazhe edhe për ne mësuesit dhe pedagogët e shqipes, për ndihmesat që duhet të japim në këtë drejtim, ashtu siç bëri dhe Sterjo Spasseja një jetë të tërë.

E dyta, emri i Sterjo Spases dhe vepra e tij letrare është ngulitur thellë në kulturën e brezave të mësuesve të gjuhë-letërsisë qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar, një ndër të cilët jam dhe unë, por kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite në kurrikulat e letërsisë shqipe që zhvillohen me studentët tanë në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin e Korçës, shumë prej të cilëve janë nga minoriteti maqedonas.

E treta, Universiteti i Korçës ka lidhje të ngushta me mjaft universitete dhe institucione të tjera në Maqedoni, si me atë të Bitolas (Manastirit), të Tetovës, Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, me të cilët kemi zhvilluar konferenca të përbashkëta dhe shkëmbime të ndërsjellëta pedagogësh. Por më frytdhënëse janë lidhjet që kemi krijuar me Universitetin e Shkupit, Fakultetin e Filologjisë, me drejtuesit maqedonas të këtij fakulteti, me pedagogët shqiptarë dhe maqedonas, me tekstet në shqip dhe maqedonisht. Po ju them një fakt me shumë interes. Këtë vit, në muajin qershor, ne ftuam një grup studentësh maqedonas prej 15 vetësh, që studiojnë në degën e përkthimit maqedonisht-shqip, të cilët qëndruan në universitetin tonë për një javë për të praktikuar gjuhën shqipe dhe u shoqëruan nga studentët tanë të filologjisë, madje u akomoduan në shtëpitë e tyre. Dhe çfarë ndodhi mund të pyesë ndokush? Nga stepja dhe mëdyshja e fillimit, pas një jave ata u ndanë me shumë emocione me shpresë se e njëjta gjë do të bëhet dhe në Universitetin e Shkupit.

Këto dhe të tjera fakte e ngjarje, që mund t’i dijë e t’i tregojë shumëkush në këtë sallë, e bëjnë edhe më të natyrshëm këtë kuvendim për Sterjo Spassen në Universitetin “Fan S. Noli”, në Korçë.

Për të përmbyllur këtë fjalë mirëseardhjeje, ju njoftoj se shumë shpejt, për ta përjetësuar emrin e Sterjo Spasses në Universitetin e Korçës, një prej auditorëve do t’i vihet emri i tij”.

Më pas, presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, midis të tjerash, nënvizoi se Shqipëria ka gjithmonë nevojë të evidentojë personalitete të artit, kulturës e shkencës, të cilët me veprimtarinë e tyre kanë kapërcyer të zakonshmen. Ai tha se Sterjo Spasse bën pjesë në ato figura që i kanë dhënë historisë cilësime të veçanta ndaj dhe vendosi që këtij shkrimtari e intelektuali të shquar t`i akordojë titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, të cilin ia dorëzoi djalit të tij, prof. Ilinden Spasses. Duke shprehur në emër të familjarëve falënderimet më të sinqerta për titullin e lartë, si dhe për organizimin e këtij simpoziumi shkencor në nder të babait të tij,  profesor Ilinden Spasse solli disa momente të veçanta nga puna e të atit si mësues e shkrimtar, por edhe si një mik, shok e familjar i dashur.

Për jetën dhe veprën e Sterjo Spasses si shkrimtar, publicist, gazetar dhe intelektual, i cili vinte nga komuniteti maqedonas që banon në zonën e Pustecit, foli kryetari i Shoqatës maqedonase “Sonce”, z. Vasil Steriovski, i cili ishte dhe nismëtar i këtij simpoziumi, si dhe ministri për Marrëdhëniet me Diasporën në Republikën e Maqedonisë, z. Edmond Ademi. Ata ngritën lart vlerat krijuese dhe shoqërore të Sterjo Spasses, që jetoi e bashkëpunoi me figurat më të ndritura të kohës, veçanërisht në qytetin e Korçës, që aq shumë e deshi dhe e përjetësoi në veprat e tij. 

Pas seancës plenare, pedagogë e studiues nga Maqedonia dhe Universiteti i Korçës, referuan kumtesat e përgatitura për jetën dhe veprën letrare të Sterjo Spasses.

Duke i falënderuar pedagogët për temat që trajtuan, prof. dr. Ali Jashari, tha se të gjitha kumtesat e këtij simpoziumi do të botohen në “Vjetarin Shkencor 7” të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.

 

 

 

 

 

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com