UNIKO ZHVILLOI KONFERENCËN SHKENCORE MBARËKOMBËTARE KUSHTUAR 110-VJETORIT TË KONGRESIT TË MANASTIRIT

Në datën 22 nëntor 2018, në sallën e Konferencave “Teodor Laço” të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, u zhvillua Konferenca Shkencore Mbarëkombëtare kushtuar 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, e cila u organizua nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Universitetin për Biznes dhe Teknologji të Prishtinës, me Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës, me Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike në Shkup, si dhe me Lidhjen e Diasporës shqiptare për Maqedoninë. Në këtë konferencë shkencore morën pjesë akademikë, pedagogë e studentë, miq e të ftuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e nga trojet e tjera shqiptare. Në fjalën e hapjes, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, përshëndeti të pranishmit dhe tha se qëllimi i kësaj konference është nxjerrja më shumë në dritë e punës dhe veprës së atdhetarëve dhe dijetarëve shqiptarë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet lëvrimit të gjuhës shqipe dhe shkollimit në gjuhën amtare në një periudhë të tillë kohe që nis me botimin e ëvetarëve të Naum Veqilharxhit deri në themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ndërsa foli për këtë ngjarje historike për kombin shqiptar, rektori, prof. dr. Ali Jashari, u shpreh: “Universiteti “Fan S. Noli”, si tempulli më i lartë i dijes në rajonin e Korçës e më gjerë, duke u mbështetur në vlerat e pamohueshme që na kanë lënë brezat, do të dijë t`i çojë edhe më lart ato, nëpërmjet arritjes së standardeve më të larta mësimore e shkencore, duke u përballur denjësisht me sfidat e kohës dhe kërkesat që shtrohen sot para arsimit të lartë shqiptar”.
Punimet e konferencës i përshëndeti dhe rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji të Prishtinës, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili e vlerësoi vendimin final të Kongresit të Manastirit si një shtysë të madhe për Shkollën Shqipe, që në atë kohë kishte filluar të hidhte hapat e parë, me vështirësi e rreziqe të mëdha.
Në fjalën e tij drejtori i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike të Shkupit, dr. Arsim Sinani, tha se Kongresi i Manastirit formësoi gjuhën më të bukur në botë, gjuhën shqipe dhe se të gjithë ne duhet të vazhdojmë të jetësojmë idealet e rilindasve tanë.
Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Bujar Dugolli, theksoi se etërit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare me Kongresin e Manastirit treguan, para së gjithash, vlerën më të rëndësishme për identitetin tonë gjuhësor, kulturor dhe kombëtar, duke plotësuar kështu një nga misionet më të çmuara për atdheun e kombin e tyre. Përshëndeti konferencën edhe kryetari i Lidhjes së Diasporës shqiptare për Maqedoninë, z. Xhevat Prespa, ndërsa folësi kryesor i seancës plenare, profesori i Universitetit të Shkupit, prof. dr. Asllan Hamiti, mbajti referatin “Kongresi i Alfabetit njësoi shkrimin e shqipes dhe bashkoi kombin”.
Pas përfundimit të seancës plenare, konferenca i vazhdoi punimet në tri sesione paralele, ku u prezantuan mbi 50 punime nga studiues të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.
Me rastin e kësaj konference, në hollin e FEF u prezantua ekspozita kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të ish-ministrit të Luftës në qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Derallës, e cila erdhi në UNIKO me nismën e dr. Arsim Sinanit.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com