UNIKO APLIKON PËR HERË TË PARË NË NJË PROJEKT JEAN MONNET

Në datën 6 shkurt 2019, në mjediset e Senatit Akademik u zhvillua një takim midis autoriteteve drejtuese, pedagogëve të UNIKO dhe përfaqësuesve të disa universiteteve nga vendi dhe rajoni. Sipas koordinatores lokale, dr. Maria Dojçe, Universiteti i Korçës do të marrë pjesë për herë të parë në një aplikim të përbashkët për projektin Jean Monnet, në kuadër të projekteve të Erasmus+. Gjatë takimit u diskutua për krijimin e një rrjeti universitetesh të rajonit, si: Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Evropës Jug-lindore, Tetovë, Universiteti për Biznes dhe Teknologji, Prishtinë, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Graz-it, me nismën "Ndikimi i Universitetit dhe kapaciteteve akademike në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE". Kjo nismë synon të nxisë kërkuesit shkencorë të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë në proceset integruese të shoqërive ballkanike, të cilat kanë nevojë për identifikimin e problemeve të tyre të brendeshme, por larg politikës. Pjesëmarrësit u shprehën se këtë nismë mund ta zhvillojnë kapacitetet universitare, duke motivuar kërkuesit shkencorë të orientojnë kërkimet e tyre mbi këto probleme dhe sfida, drejt rritjes së vetëdijësimit nëpërmjet debateve, bashkëbisedimeve dhe analizës së fakteve konkrete, në lidhje me procesin integrues të shoqërive ballkanike në BE.