U ZHVILLUA CEREMONIA ZYRTARE E PËRURIMIT TË NDËRTESËS SË RE TË UNIVERSITETIT TË KORÇËS

Në datën 9 mars 2018 u zhvillua ceremonia zyrtare e përurimit të ndërtesës së re të Universitetit “Fan S. Noli”. Në këtë përurim morën pjesë përfaqësues të pushtetit qendror dhe atij vendor, deputetë të qarkut të Korçës, përfaqësues të institucioneve, komuniteteve fetare, pedagogë e studentë. Në fjalën e hapjes, Rektori i Universitetit, prof. dr. Ali Jashari, ndër të tjera tha se kjo ndërtesë e re i shton korpusit universitar një sipërfaqe prej 2 mijë m2 dhe është një investim i kryer tërësisht me të ardhurat e Universitetit. Kjo ndërtesë është dinjitoze në formë dhe në harmoni me parkun e qytetit, është bashkëkohore në përmbajtje, sepse do të ketë shumë funksione. Ajo do të shërbejë si Selia qendrore e Universitetit të Korçës, ku do të zhvillojnë veprimtarinë e tyre, Rektorati dhe administrata e tij, Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit. Në këtë ndërtesë do të instalohet Biblioteka Shkencore Universitare dhe biblioteka digjitale, Qendra e Sudimeve Noliane, Arkivi i Universitetit, Qendra e Formimit të Vazhduar, Qendra e Inovacionit për kualifikimin e specialistëve të fushave të ndryshme, disa mjedise do të shërbejnë si auditorë për programet “Master”, ndërsa në hollin e ndërtesës do të funksionojë Qendra e Informacionit dhe Promocionit. Prof. Jashari e mbylli fjalimin e tij të shkurtër me këto fjalë: “po them se duhet të shpresojmë që kjo ndërtesë do të jetë “guri i qoshes” së Kampusit të ri Universitar, si një ëndërr shumë e bukur për Universitetin dhe mbarë komunitetin në qarkun e Korçës”.  Më pas, fjalën e mori Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi, i cili tha se Korça po kthehet në një qendër rajonale universitare, me më tepër studentë e cilësi dhe ku çdo i ri zgjedhjen e tij të parë duhet të ketë Universitetin “Fan S. Noli”. Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, u shpreh se ishte zgjedhja e duhur, që kjo godinë iu dha në përdorim Universitetit të Korçës. Ai tha se në kuadër të bashkëpunimit midis dy institucioneve, UNIKO, do të jetë përfitues në shumë projekte të përbashkëta me Bashkinë e qytetit. Rektori, prof. dr. Ali Jashari, ftoi më pas Kryetarin e Bashkisë, për të prerë shiritin e përurimit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit, për të vizituar mjediset e brendshme të ndërtesës së re. Në sallën e Senatit Akademik, arkitekti Koço Kallanxhi, prezantoi projekt – idenë, se si mund të zhvillohet Kampusi Universitar, duke përmbushur standardet dhe për t`iu përgjigjur numrit në rritje, të studentëve të Universitetit të Korçës.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com