STUDENTËT E VITIT III TË PROGRAMIT TË STUDIMIT “ARSIM PARASHKOLLOR”, PREZANTUAN PROJEKTIN PËRMBYLLËS NË LËNDËN “STANDARDE TË ZHVILLIMIT DHE TË NXËNIT TË FËMIJËVE 3-6 VJEÇ”

Në datën 5 shkurt 2020, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të Rektoratit, studentët e programit të studimit “Bachelor” në “Arsim Parashkollor”, viti  III,  prezantuan projektin përfundimtar të lëndës “Standarde të zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve 3-6 vjeç”. Veprimtaria kishte në qendër punën ditore në një mjedis parashkollori, bazuar në njohuritë e lëndës, duke pasur parasysh fushat e zhvillimit të fëmijës, standardet e këtyre fushave, si dhe treguesit e tyre.
Përgjegjësja e departamentit të edukimit, prof. as. dr. Irena Nikaj, vlerësoi punën e studentëve, duke u shprehur se ata, gjatë këtyre tre viteve të studimit, kanë modeluar njohuritë e marra në veprimtari praktike, mjaft dobiprurëse për ta, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive dhe shprehive për punë.
Sipas pedagoges së lëndës, msc. Riollza Agolli, qëllimi i këtij projekti ishte qasja gjithëpërfshirëse dhe cilësore e studentëve në kuptimin e të nxënit në arsimin parashkollor, duke u orientuar drejt mënyrave të planifikimit, të organizuara sipas modeleve që zbatohen sot në institucionet parashkollore, bazuar në dokumentet zyrtare.
Nëpërmjet veprimtarive praktike studentët njihen me mjedise që u përgjigjen nevojave të zhvillimit njohës, social dhe emocional të fëmijëve, duke i ndihmuar të bëhen aktivë dhe të suksesshëm në vijimësi.
Veprimtaria u ndoq dhe nga pedagogë e studentë të programeve të tjera të studimit të këtij departamenti.