STUDENTËT E “LABORATORIT TË DIJES” KURORËZUAN ME SUKSES OLIMPIADËN “RROKE SHKENCËN”

Nga data 2-7 dhjetor 2019, studentët e “Laboratorit të dijes” organizuan olimpiadën “Rroke shkencën”, një nismë e ndërmarrë nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, i UNIKO me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Korçës. Ky laborator, i krijuar në fillim të këtij viti akademik me nismën e përgjegjësit të departamentit të matematikë-fizikës, dr. Arto Adili dhe të studentëve ekselentë të këtij fakulteti, ka për qëllim rritjen e interesit të nxënësve të shkollave të mesme për studimin e shkencave të natyrës dhe shkencave humane. Këtij qëllimi i shërbeu edhe kjo olimpiadë, e cila u zhvillua në mjediset e Qytetit të Fëmijëve me mbështetjen e DAR, Korçë, Bashkisë Korçë dhe World Vision. Nxënësit e 24 shkollave të mesme të qarkut të Korçës testuan njohuritë e tyre në fushën e shkencave sociale, fizikës, matematikës, informatikës dhe bilogji-kimisë, për pesë ditë me radhë. Sipas studentëve organizatorë Kristina Bogdani, Sidorela Kolaci, Flori Kodra, Gjergji Qosja, Maria Janaq, Sotir Memo, Thomaida e Nikolina Bode, Demian Like etj., kjo është veprimtaria  e parë  që organizon “Laboratori i dijes”, e cila do të pasohet dhe nga shumë të tjera. Studentët u shprehën besimplotë se ky laborator do të krijojë ura të forta bashkëpunimi dhe do të ofrojë mbështetjen e duhur për nxënësit, duke i ftuar edhe ata të bëhen pjesë e tij, si studentë të ardhshëm të UNIKO.

Në fund të olimpiadës, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal, të Drejtorisë Arsimore Rajonale, pedagogë, studentë, mësues, nxënës e të ftuar të tjerë. Dr. Arto Adili falënderoi të gjithë ata që e mbështetën këtë nismë të “Laboratorit të dijes” dhe i ftoi që ta kthejnë këtë bashkëpunim në një traditë për qytetin e Korçës. Gjatë ndarjes së çmimeve për shkollat fituese, përshëndetën drejtori i DAR Korçë, z. Kristaq Grabocka, kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, znj Ana Verushi, kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, astrofizikania, prof. dr. Mimoza Hafizi, pedagogu, dr. Maksi Raço etj. Çmimin e parë të olimpiadës “Rroke shkencën” e fitoi shkolla “Muharrem Çollaku”, Pogradec, me çmim të dytë u vlerësua shkolla e mesme e përgjithshme “Raqi Qirinxhi”, Korçë dhe me çmim të tretë kolegji “Preka”. Rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, ndau tri çmimet e para për fituesit dhe përgëzoi organizatorët për këtë veprimtari që zhvillohet për herë të parë nga Universiteti i Korçës. Ai vlerësoi interesin dhe njohuritë e qëndrueshme që treguan nxënësit pjesëmarrës në këtë olimpiadë.

Ceremonia u shoqërua me disa këngë e pjesë instrumentale për violinë të interpretuara nga nxënës, studentë e këngëtarë të ftuar.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com