REKTORI I UNIKO, PROF. DR. ALI JASHARI, MORI PJESË NË PËRURIMIN E MUZEUT TË SHKOLLËS SË MESME “FUAT BABANI”, BILISHT

Në datën 6 mars 2020, rektori i UNIKO prof. dr. Ali Jashari, me ftesë të stafit dhe drejtuesve të shkollës së mesme “Fuat Babani”, Bilisht, mori pjesë në përurimin e muzeut të kësaj shkolle. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, të zyrës arsimore rajonale, mësues e ish-mësues dhe nxënës. Drejtori i saj, z. Hajdër Lilo, tha se nëpërmjet fotografive, materialeve e dokumenteve të ndryshme të këtij muzeu pasqyrohet historia dhe disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të shkollës ”Fuat Babani”, që nga hapja e saj në vitin 1957 e deri në ditët e sotme. Ai u ndal në disa nga drejtuesit, mësuesit, si dhe ish-nxënësit e saj në vite, një pjesë e të cilëve sot janë profesionistë, intelektualë e personalitete të njohur në fusha të ndryshme, ku veçoi midis tyre dhe rektorin e Universitetit të Korçës, profesor Ali Jasharin. Rektori shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej mes kolektivit të kësaj shkolle, duke ndarë me ta emocione si një prej ish-nxënësve të saj. Ai përcolli urimet më të mira për mësuesit dhe nxënësit me rastin e festës së 7-Marsit. Profesor Ali Jashari vlerësoi nismën e stafit për hapjen e këtij muzeu, si dhe la mbresat e tij në librin e përshtypjeve. Ai dhuroi disa prej librave të tij në fushën e gjuhësisë për bibliotekën e shkollës. Vlerësime për këtë nismë, për punën e stafit pedagogjik dhe për kontributin që kjo shkollë ka dhënë në vite në zonën e Devollit, dhanë dhe të ftuarit e tjerë. Më pas, të pranishmit vizituan stendat e muzeut.