NË UNIKO ZHVILLOI PUNIMET KONFERENCA RAJONALE “FONDET E BASHKIMIT EUROPIAN DHE ROLI I AER NË TO”
Në datën 21 qershor 2018, në Universitetin e Korçës, zhvilloi punimet konferenca rajonale “Fondet e Bashkimit Europian dhe roli i AER në to”, organizuar nga Këshilli i Qarkut Korçë. Punimet e konferencës u drejtuan nga kryetarja e këtij këshilli, znj. Ana Verushi dhe z. Mathieu Mori, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Europiane të Rajoneve, të cilët theksuan se qëllimi është të ndërtojë ura afatgjata bashkëpunimi midis aktorëve lokalë, rajonalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Konferencën e përshëndeti rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, z. Aldrin Dalipi etj. Referuesit folën për fushat e bashkëpunimit dhe mundësitë e përgjithshme të financimit të BE-së në Shqipëri, prezantuan AER, si dhe shërbimet e saj në projekte dhe fonde.