FSHNH ORGANIZOI KONFERENCËN SHKENCORE KOMBËTARE “ARRITJE DHE SFIDA NË FUSHËN E STUDIMEVE SOCIOLOGJIKE NË SHQIPËRI: PROF. DR. ZYHDI DERVISHI, PROTAGONIST DHE MODEL I NJË STUDIUESI TË SUKSESSHËM”

Në datën 31 maj 2019, FSHNH organizoi Konferencën Shkencore Kombëtare me temë: “Arritje dhe sfida në fushën e studimeve sociologjike në Shqipëri: Prof. dr. Zyhdi Dervishi, protagonist dhe model i një studiuesi të suksesshëm”. Në fjalën e hapjes rektori, prof. dr. Ali Jashari, u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, si dhe përgëzoi ideuesit dhe organizatorët e kësaj konference. Ai vlerësoi lart përkushtimin dhe punën e palodhur të stafit të këtij fakulteti, i cili vazhdimisht organizon veprimtari të tilla shkencore për të nderuar e vlerësuar figura të shquara të botës akademike shqiptare, duke u prirë të gjitha njësive të UNIKO. Rektori theksoi se kjo konferencë ka një domethënie të veçantë sepse i kushtohet, mikut të Universitetit, profesor Zyhdi Dervishit. “Ai është shembulli se si duhet t`i qasesh shkencës dhe mësimdhënies së saj për ta pushtuar fort me gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit e ta nxjerrësh në mejdan për ta lëçitur të gjithë: studentë, pedagogë, studiues e njerëz të thjeshtë të të gjitha moshave”.
Punimet e konferencës i përshëndeti dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Edmond Rapti, dekani i Fakultetit Filologjik të UT, prof. dr. Sabri Laçi dhe drejtori i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike në Maqedoninë e Veriut, prof. as. dr. Arsim Sinani. Ata çmuan lart kontributin 30-vjeçar të profesor Zyhdi Dervishit në fushën e sociologjisë nëpërmjet studimeve, kërkimit shkencor dhe botimeve të shumta. Më pas, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, e nderoi atë me Emblemën e Artë të Universitetit “Fan S. Noli” me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave shqipe, punëtor i palodhur në fushën e sociologjisë shqiptare dhe më gjerë, çka e ka sendërtuar me shumë vepra vetjake bashkëkohore; pedagog i përkorë dhe i përkushtuar në shkencat shoqërore, i cili ka selitur dashurinë dhe dijet për to në breza të tërë studentësh. Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” për ndihmesat e çmuara që i ka dhënë këtij institucioni”.
Prof. dr. Zyhdi Dervishi falënderoi Rektorin dhe Universitetin e Korçës për këtë vlerësim, Dekanin dhe stafin e FSHNH për organizimin e kësaj konference dhe të gjithë pjesëmarrësit. Ai u shpreh se veprimtari të tilla përfaqësojnë dëshmi të pakundërshtueshme të veprimtarisë shkencore që realizohet në mjediset e universiteteve publike.
Sesioni i parë vijoi me referatin e dekanit të FSHNH, prof. dr. Gjergji Pendavinji “Rreth disa aspekteve metodologjike të kërkimit në shkencat humane, referuar studimeve të prof. dr. Zyhdi Dervishit”, si dhe me referatin e përgjegjëses së Departamentit të Edukimit të FEF, prof. as. dr. Irena Nikaj “Përmasat sociale të njohjes shkencore në veprën “Sociologji shkence 1” të prof. Zyhdi Dervishit”. Pjesëmarrësit vijuan me referatet e tyre edhe në sesionin e dytë të konferencës, në fund të së cilës u zhvilluan diskutime dhe u nxorrën përfundime. 

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com