FORUMI “HEBRENJTË NË REPUBLIKËN E VLERAVE” – VEPRIMTARI SHKENCORE E PËRBASHKËT E UNIVERSITETIT TË KORÇËS, INSTITUTIT SHQIPTAR TË SOCIOLOGJISË DHE AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË KUJTIMIT TË VIKTIMAVE TË HOLOKAUSTIT

Në datën 27 janar 2020, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO u zhvillua forumi me temë: “Hebrenjtë në republikën e vlerave”, që përkujtoi për herë të parë në Korçë “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Holokaustit”. Në fjalën e hapjes presidentja e Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe përgjegjëse e departamentit të edukimit, prof. as. dr. Irena Nikaj vlerësoi rëndësinë e përkujtimit të kësaj date për rolin dhe përkushtimin e popullit shqiptar për të strehuar dhe shpëtuar mijëra hebrej gjatë kohës së persekutimit mizor nga regjimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për të mos harruar atë që ka ndodhur, që të mos përsëritet. Sipas saj, ekstremizmi, populizmi i sotëm janë duke u rritur dhe duke vënë në dyshim vlerat humane të sistemeve demokratike aktuale.
Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari theksoi se kjo ditë përkujtohet për herë të parë në Universitetin e Korçës falë dëshirës së profesor Lekë Sokolit, drejtor i Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe profesores Irena Nikaj, së cilës i uroi njëkohësisht suksese në detyrën e saj të re si presidente e porsazgjedhur e “Shoqatës së Sociologëve të Shqipërisë”. Rektori e vlerësoi si një zgjidhje të mençur e kuptimplotë nga ana e organizatorëve, që në qendër të kësaj veprimtarie vendosën librin “Shqiptarët dhe Hebrenjtë; prania dhe ndëshkimi”, të profesor Shaban Sinanit. Më pas, Rektori foli për kontributin e çmuar që profesor Sinani në krye të Akademisë së Shkencave, ka dhënë, duke bashkëpunuar ngushtë me UNIKO, në organizime të mjaft veprimtarive shkencore e botimeve të përbashkëta, si dhe në pasurimin e Bibliotekës Shkencore me botime të Akademisë së Shkencave. Rektori vlerësoi gjithashtu dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë të profesor Shaban Sinanit për lidhjet dhe bashkëpunimet e Universitetit të Korçës me institucione të tjera shkencore dhe arsimore në vend.
Më pas prof. dr. Shaban Sinani mbajti referatin kryesor të këtij forumi “Pranimi i hebrenjve në Shqipëri-Periudha mbretërore 1928-1939”, në të cilin, me fakte dhe dokumenta argumentoi rolin e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar për të strehuar, shpëtuar dhe ndihmuar për t`u larguar në vende të sigurta hebrenj të rrezikuar, nga Ajnshtajni deri tek njerëzit e thjeshtë.
Në fjalën e tij drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, prof. dr. Lekë Sokoli, duke përdorur metodën krahasuese solli argumente për ngjashmëritë në fate dhe vlera të popullit shqiptar dhe popullit hebre.
Në fund të takimit, ku morën pjesë studentë, pedagogë, studiues, përfaqësues të pushtetit vendor, të komuniteteve fetare e të ftuar të tjerë, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, e vlerësoi akad. prof. dr. Shaban Sinanin me certifikatën e mirënjohjes me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave shqipe, studiues dhe historian i letërsisë, etnolog, eseist dhe publicist, për ndihmesat e çmuara që ka dhënë për organizimin dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë shkencore, si dhe për kualifikimin shkencor të pedagogëve të institucionit tonë. Në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik dhe drejtuesit e Universitetit “Fan S. Noli” i Korçës, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës”.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com