FONDACIONI “ALTERNATIVA E SË ARDHMES” (“ALSAR”) OFROI BURSA DHE NJË NUMËR TË MADH BOTIMESH PËR STUDENTËT E UNIKO

Në datën 20 janar 2020, në mjediset e Rektoratit, u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së bursave që fondacioni arsimor, kulturor dhe humanitar “Alternativa e së Ardhmes” (“ALSAR”) dha për 11 studentë të programeve të studimit të mësuesisë në UNIKO.
Fillimisht e mori fjalën prof. dr. Sabri Laçi, i cili foli për veprimtarinë dhe kontributin me karakter humanitar të fondacionit, që prej hapjes së tij në vitin 2006. Ai tha se gjatë kësaj kohe mbi 650 studentë me rezultate të larta janë mbështetur në vite me bursa dhe botime të ndryshme.
Më pas, profesor Emil Lafe u ndal në veprimtarinë botuese të “ALSAR” në fushën e kulturës dhe dijes, duke kontribuar në pasurimin e mëtejshëm të bibliotekës shqiptare. Në këtë kuadër ai propozoi që, me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, fondacioni në bashkëpunim dhe me UNIKO, të botojnë një përmbledhje me shkrimet më të spikatura të kësaj figure të shquar të kombit shqiptar.
Në këtë ceremoni përshëndeti dhe profesor Zyhdi Dervishi, i cili e përkrahu këtë nismë, si dhe vlerësoi marrëdhëniet e tij shumë të mira me Universitetin e Korçës dhe me Fondacionin. Për kontributin humanitar të fondacionit foli dhe kryetari i shoqatës së vakëfeve, z. Petrit Zeneli dhe shkrimtari i njohur z. Gaqo Bushaka.
Kryetari i fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, falënderoi rektorin për mikpritjen dhe u shpreh se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi, i cili do të pasohet dhe me projekte të tjera në mbështetje të punës kërkimore e shkencore në universitetet shqiptare.  
Rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, gjatë ndarjes së bursave për studentët, u shpreh se kjo mbështetje do t`i nxitë ata t`i përkushtohen edhe më shumë misionit të tyre të ardhshëm. Gjithashtu, rektori vlerësoi dhurimin e të gjithë titujve të botuar nga ky fondacion për studentët dhe bibliotekën shkencore të UNIKO. Më pas, ai e nderoi z. Mehdi Gurra me certifikatën e mirënjohjes me këtë motivacion: “Si president i Fondacionit “ALSAR”, i cili me shumë dëshirë, bujari e humanizëm, po mbështet financiarisht 11 studentë të mësuesisë, që ata t’i përkushtohen edhe më shumë misionit të tyre të ardhshëm, si dhe për dhurimin e gjithë botimeve të studentëve dhe pasurimit të bibliotekës shkencore të institucionit tonë. Në shenjë mirënjohjeje nga studentët dhe stafi akademik i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës”.
Në fund të ceremonisë, në shenjë vlerësimi, u shkëmbyen disa dhurata simbolike.