DEPARTAMENTI I SHKENCAVE SOCIALE TË UNIKO ORGANIZOI NJË VEPRIMTARI ME RASTIN E JAVËS SË EVROPËS

Në datën 9 maj 2019, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane u zhvillua veprimtaria me temë: “Zgjedhjet e Parlamentit Evropian, Maj 2019: Probleme dhe sfida”. Departamenti i Shkencave Sociale të UNIKO e ka kthyer organizimin e kësaj veprimtarie në traditë me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e studentëve mbi çështjet kryesore që lidhen me Bashkimin Evropian.
Takimin e hapën dy prej studentëve ekselentë të këtij fakulteti, Xhuliano Hafesllari dhe Ada Agolli, të cilët folën  për rëndësinë e politikave sociale dhe demokracisë në funksionimin e BE-së. Në fjalën e tij, dekani i FSHNH, prof. dr. Gjergji Pendavinji, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të kësaj veprimtarie, ku përgëzoi në veçanti drejtuesen e Departamentit të Shkencave Sociale, dr. Magdalini Vampa, si dhe punën e studentëve në organizimin e saj. Ai theksoi se dinamika që mbart në vetvete Bashkimi Evropian dhe rëndësia që ky i fundit ka për Shqipërinë si vend kandidat, e bën të nevojshëm trajtimin e vazhdueshëm që duhet t`u bëhet dimensioneve kryesore. Më pas, profesori i filozofisë në Universitetin e Tiranës, prof. dr. Gjergj Sinani, i cili ka një kontribut të rëndësishëm shkencor në veprimtaritë e ndryshme që organizohen nga UNIKO, në kumtesën e tij, u ndal në projektet që ideuan themelimin e bashkësisë së Evropës gjatë shekujve XVII-XVIII. Ai theksoi kontributin që dhanë projektimet filozofike për themelimin e një shoqërie demokratike evropiane, duke nënvizuar nevojën e ruajtjes së investimit filozofik mbi strukturën evropiane, me qëllim që kjo e fundit të dalë në mënyrë dinjitoze nga kriza e viteve të fundit. 
Pedagogu i studimeve politike në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Jordan Jorgji, në studimin e tij foli për dimensionin ekonomik, politik e social të sfidave me të cilat përballet sot Bashkimi Evropian, si plakja e popullsisë, rritja e populizmit, deficienca demokratike, imigracioni etj. Ai tha se rruga ku po shkon sot BE-ja do të tregojë ngjyrimin politik të institucioneve të Unionit, si dhe instrumentet që ato do të përdorin në menaxhimin e sfidave aktuale.
Takimi  vijoi me pyetje e diskutime nga të pranishmit. 

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com