AUTORITETET DREJTUESE TË UNIKO ZHVILLUAN NJË TAKIM PËR ECURINË E MËSIMIT NË DISTANCË

Në datën 28 prill 2020, autoritetet drejtuese të UNIKO zhvilluan një takim, ku diskutuan rreth ecurisë së procesit të mësimit në distancë. Fillimisht e ka marrë fjalën rektori, prof. dr. Ali Jashari, i cili falënderoi pedagogët për punën e bërë me studentët nëpërmjet klasave virtuale për zhvillimin e programit mësimor. Më pas, ai kërkoi informacion dhe raportim nga përgjegjësat e departamenteve për realizimin e detyrave në zbatim të Vendimit të Senatit Akademik dhe Udhëzimit të Rektoratit për procesin mësimor online. Pjesëmarrësit u ndalën në ecurinë e procesit të mësimit në distancë që prej fillimit të tij në datën 17 mars, vështirësitë dhe problemet e hasura gjatë komunikimit interaktiv të pedagogëve me studentët nëpërmjet platformave të ndryshme online. Ata sollën shembuj konkretë në lidhje me frekuentimin e klasave virtuale, zbatimin e orarit mësimor, si dhe diskutuan rreth mundësive për rikthim në mësimin e drejtpërdrejtë, për zhvillimin e praktikave profesionale dhe ekspeditave studimore, për mënyrën e vlerësimit të studentëve etj. Në këtë takim u bënë të ditura edhe rezultatet e dy pyetësorëve të zhvilluar në fillim të muajit prill, me studentët e pedagogët e Universitetit të Korçës për zhvillimin e mësimit online. Drejtuesit e universitetit vlerësuan rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përdorimit të platformave virtuale që mundësojnë takimin në kohë reale me studentët, zbatimin e orarit online, rishikimin e ngarkesës së studentëve etj. Në takim u la detyrë hartimi i një plani të hollësishëm me masat konkrete për përfundimin e vitit akademik. Takimi u zhvillua duke respektuar kërkesat dhe kushtet në situatën e pandemisë. Mjedisi i jashtëm dhe i brendshëm, i përcaktuar për mbledhje, u dezinfektua, si dhe të gjithë pjesëmarrësit ishin të pajisur me maska e doreza.