“STUDENTËT PËR MIRËQEVERISJE”-TAKIM ME STUDENTË TË UNIKO

Në datën 11 shkurt 2020, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO, u prezantua projekti “Studentët për mirëqeverisje”, i cili u organizua nën kujdesin e pedagoges së departamentit të financë-kontabiliteti, dr. Sorina Koti në bashkëpunim me drejtorin e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” z. Tobias Ruttershoff dhe drejtorin e Albanian Center for Good Governance (ACGG) z. Arben Çejku. Në këtë takim, me studentët e programeve “Master”, u diskutua në lidhje me aktivizimin e të rinjve në mirëqeverisje. Gjatë tryezës së rrumbullakët pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me problemet e arsimit të lartë, kërkesat e studentëve për rritjen e cilësisë në arsim, si dhe aktivizimin e tyre në organet drejtuese të Universitetit, si forma më e mirë për mirëqeverisje.
Përfaqësuesit e fondacionit gjerman dhe ACGG ofruan bashkëpunim të vazhdueshëm me Universitetin e Korçës, si dhe premtuan organizimin e një “Forumi Studentor” në Korçë, i cili do t’i hapë rrugë zgjidhjeve të problemeve të ngritura nga studentët.
Po në këtë ditë, në mjediset e Senatit Akademik, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, priti në takim përfaqësuesit e fondacionit gjerman të shoqëruar nga pedagogia dr. Sorina Koti, të cilët i njohu me veprimtarinë që zhvillon Universiteti i Korçës. Midis të tjerash ai u ndal dhe në procesin e akreditimit institucional, ku UNIKO u vlerësua maksimalisht, ndërkohë që së shpejti pritet të fillojë dhe akreditimi i programeve të studimit. Rektori e vlerësoi këtë projekt për mbështetjen që do të japë në drejtim të pjesëmarrjes së studentëve në organet vendimmarrëse. 
Drejtori i fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” z. Ruttershoff u shpreh se takimi me Rektorin dhe bashkëbisedimi me studentët e UNIKO do të jenë një shtysë për t`u dhënë zgjidhje sa më shprejt problemeve për një vetëqeverisje sa më të mirë.