“PRAKTIKA NDËRDISIPLINORE NË FORMIMIN E KOMPETENCAVE NË GJUHËN E HUAJ”–SIMPOZIUM I ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I GJUHËVE TË HUAJA NË BASHKËPUNIM ME DAR, KORÇË

Në datën 5 korrik 2019, Departamenti i Gjuhëve të Huaja në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Korçës, organizoi simpoziumin me temë: “Praktika ndërdisiplinore në formimin e kompetencave në gjuhën e huaj”. Në fjalën e hapjes, përgjegjësja e këtij departamenti, dr. Benita Stavre, theksoi se nisma për organizimin e tij lindi si një nevojë diskutimi mes aktorëve të niveleve të ndryshme të arsimit në lidhje me didaktikat ndërdisiplinore të gjuhës së huaj, qasjen ndërdisiplinore në hartimin e kurrikulës së gjuhës së huaj dhe mbi të gjitha kurrikula e gjuhës së huaj për qëllime specifike në funksion të tregut të punës.
Rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, falënderoi pjesëmarrësit dhe përgëzoi Departamentin e Gjuhëve të Huaja, i cili ka zhvilluar disa veprimtari shkencore me temë kompetencat në mësimdhënie, duke arritur dhe rezultate pozitive. Ndër të tjera Rektori theksoi: “Aftësimi i nxënësve dhe studentëve me kompetencat e domosdoshme për jetën, dhe veçanërisht për ata studentë që kanë zgjedhur fushën e mësimdhënies, është një çështje që mbetet në rend të ditës në të gjithë nivelet e arsimit. Ky simpozium me përfaqësues nga universitete të ndryshme të vendit, studiues, drejtues të arsimit në rajonin e Korçës, pedagogë, mësues dhe studentë, tregon qartë se vënia në binarë e problemit të kompetencave kërkon një bashkërendim të punës për zgjidhjen e tij. Tre aktorët kryesorë që ndikojnë në zgjidhjen e këtij problemi janë pedagogët, mësuesit në shërbim dhe drejtuesit e arsimit në të gjithë nivelet. Ky simpozium arriti të bëjë bashkë këta tre aktorë dhe faktorë të zgjidhjes së çështjes, duke ndikuar edhe në disa dukuri: së pari në mbushjen e hendekut midis arsimit parauniversitar dhe Universitetit; së dyti do të ndikojë në rritjen e nivelit të praktikave profesionale të studentëve para provimit të shtetit dhe së treti do të ndikojë edhe për ndryshimin e përmbajtjes së provimit të shtetit për ta bërë atë sa më formues. Mendoj që kjo do të ndikojë dhe në zgjedhjen dhe përdorimin e teksteve më të mirë në shërbim të nxënësve dhe studentëve, si dhe në përgatitjen e moduleve më cilësorë për formimin e vazhdueshëm të mësuesve në shërbim”. Rektori, prof. dr. Ali Jashari, vlerësoi Departamentin e Gjuhëve të Huaja për cilësinë e stafit akademik dhe për numrin e qëndrueshëm në vite të studentëve që zgjedhin të studiojnë në programet që ai ofron. Më pas, drejtori i DAR, Korçë, z. Kristaq Grabocka përshëndeti punimet e këtij simpoziumi dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të rritur më tej bashkëpunimin me UNIKO. Simpoziumin e përshëndeti dhe e vlerësoi dhe dekani i FEF, prof. as. dr. Pavllo Cicko.  Pedagoget, prof. dr. Vilma Tafani dhe prof. dr. Elida Tabaku ishin të ftuarat e nderit në këtë simpozium. Ato referuan temat: “Sfida të mësimdhënies të gjuhës angleze në një mjedis ku përdorimi i teknologjisë është i kufizuar” dhe “Rëndësia e zhvillimit të praktikës mësimore me mësuesit e gjuhëve të huaja, sfidat kryesore dhe problemet”.
Pas mbylljes së seancës plenare, simpoziumi i vazhdoi punimet në disa seanca paralele. Në fund të tij u zhvilluan diskutime dhe u dhanë mendime rreth risive pozitive që sollën temat e trajtuara.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com