“EDUKIMI DHE NDIKIMI I TIJ NË STATUSIN KULTUROR E SOCIAL-EKONOMIK”- LEKTORIUM NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË EDUKIMIT

Në datën 24 janar 2020, në mjediset e Amfiteatrit të FEF u zhvillua lektoriumi me temë “Edukimi dhe ndikimi i tij në statusin kulturor dhe social-ekonomik”. Ky leksion i hapur u organizua nga departamenti i edukimit në bashkëpunim me Qendrën Rinore Korçë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit. Përgjegjësja e departamentit, prof. as. dr. Irena Nikaj në fjalën e hapjes tha se qëllimi i këtij lektoriumi është evidentimi dhe promovimi i rolit kryesor që ka edukimi për zhvillimin e shoqërisë; natyra humane dhe integruese e tij në përpjekje për të pakësuar pabarazitë ekonomike dhe sociale në shoqëri. Ajo më pas referoi temën “Edukimi dhe statusi social-ekonomik i studentёve-PISA 2018”. Pedagogia e këtij fakulteti, dr. Albina Pajo referoi temën “Edukimi dhe format adekuate tё komunikimit”, ndërsa znj. Xhensila Mirashi, koordinatore projektesh pranë QRK-së, foli për edukimin e vajzave. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm pedagogë e studentë të këtij departamenti, të cilët diskutuan dhe dhanë mendimet e tyre në lidhjen me rolin që ka edukimi në zhvillimin kolektiv, për qëllimet humaniste dhe natyrën e tij të integruar. Gjithashtu, ata u ndalën në disa nga problemet që ka procesi i edukimit në ditët e sotme në Shqipëri, duke parashtruar edhe ide për zgjidhjen e tyre.