Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

AMBASADORI I BE-SË NË SHQIPËRI LUIGI SORECA ZGJODHI UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI’ PËR TË LANÇUAR FUSHATËN PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL “EVROPA ËSHTË KËTU 2.0” NË PRANI TË MINISTRES SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, ZNJ. FRIDA KRIFCA, SI DHE PEDAGOGËVE E STUDENTËVE 

Në datën 7 shkurt 2022, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca zhvilloi një vizitë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, ku u prit fillimisht nga autoritetet drejtuese të tij në mjediset e Rektoratit. Ndërsa i uroi mirëseardhjen, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello e njohu z. Ambasador me veprimtarinë që zhvillon Universiteti “Fan S. Noli” dhe veçanërisht me projektet në kuadër të programit Erasmus+, ku Ambasadori vizitoi edhe disa nga qendrat e ngritura në këtë Universitet dhe gjithashtu pati mundësinë të bisedojë nga afër me pedagogë e studentë të angazhuar në to.

Më pas, Ambasadori Soreca zhvilloi një takim në mjediset e Fakultetit të Bujqësisë me pedagogë e studentë të tij, si dhe të ftuar të tjerë që operojnë në këtë sektor në rajonin e Korçës. Në fjalën e hapjes rektori, prof. dr. Dhimitri Bello ndër të tjera theksoi: “Edhe studentët dhe pedagogët e Universitetit tonë janë pjesë e ëndrrës së madhe të shqiptarëve për t`u bërë anëtarë të BE, por e them me kënaqësi se ne e kemi ndier që jemi pjesë e këtij komuniteti prej kohësh në sajë të projekteve që ka patur dhe ka BE me universitetet shqiptare, çka ka bërë që sot ne të kemi programe studimi bashkëkohore, të kemi infrastrukturë moderne, si dhe shumicën e stafit akademik dhe të studentëve ekselentë që kanë marë përvoja, duke qenë në universitete të ndryshme të BE-së”. Më pas Rektori prezantoi edhe disa prej projekteve që ka Universiteti “Fan S. Noli” në fushën e bujqësisë.

Ambasadori Soreca shprehu kënaqësinë që pikërisht nga Universiteti “Fan S. Noli” të lançojë pjesën që ka të bëjë me bujqësinë në kuadër të fushatës “Evropa është këtu 2.0”.Bujqësia është një fushë kyçe e mbështetjes së BE-së në Shqipëri. Arsyet janë të qarta. Jo vetëm që bujqësia ka një pjesë të veçantë në historinë dhe identitetin e Shqipërisë, por pothuajse 40% e popullsisë shqiptare jeton në zonat rurale dhe pothuajse gjysma e fuqisë punëtore shqiptare punon në bujqësi dhe sektorë të lidhur me të. Duke njohur rëndësinë e këtij sektori, vetëm në 5 vitet e fundit, që nga viti 2018, BE-ja ka vënë në dispozicion mbi 70 milionë euro për të mbështetur ekonominë rurale, agrobiznesin, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe peshkimin. Madhësia e këtij investimi e kualifikon BE-në deri tani si mbështetësin më të madh të sektorit agroushqimor shqiptar”. Ndërsa ishte mes studentëve të Fakultetit të Bujqësisë Ambasadori inkurajoi të rinjtë që kanë bërë zgjedhje për të mirën e tyre dhe të vendit të tyre.

Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca, e cila prezantoi disa nga projektet që aplikohen në sektorin e bujqësisë, ku edhe studentët mund të japin kontributin e tyre. “Iu bashkova ftesës së Ambasadorit Soreca për të thënë se Evropa është këtu, dhe e falënderoj që nisi këtë fushatë në Korçë. Kemi plot raste suksesi në këtë qark me rreth 25 për qind të financimeve të programit. Jam e kënaqur që hapi i parë i fushatës nisi në Universitetin “Fan Noli”, ku shumë prej studentëve të pranishëm do të jenë ekspertët e së nesërmes që do t’í shërbejnë bujqësisë. Asgjë nuk mund të bëhet mirë pa dije, prandaj kontributi juaj, të dashur studentë, do të jetë shumë i rëndësishëm. Ne synojmë të konkurrojmë në tregun evropian përmes cilësisë”. Gjithashtu, ajo i ftoi studentët që ta kontaktojnë edhe online në hapësirën “Dialog me të rinjtë” për çdo pyetje apo ide që mund të kenë lidhur me sektorin e bujqësisë. Takimin e përshëndetën edhe zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, dekani i FB, prof. as. dr. Gjergji Mero, si dhe të ftuar të tjerë, të cilët sollën përvojat e tyre të mira në këtë sektor. Studentët gjithashtu u drejtuan pyetje të ndryshme z. Ambasador dhe Ministres Krifca për probleme që i shqetësojnë sot si studentë dhe nesër si punonjës e sipërmarrës në sektorin e bujqësisë.

Leave a Reply

sqAlbanian